De Biazi i kurseu udhëtimin, “egërsira” Berisha zbret në Kosovë

Dikur de Biazi na tha se Besart Berisha nuk mund t’i bashkohej sërish Kombëtares, pasi distanca mes Shqipërisë dhe Australisë është shumë e madhe dhe bëhet pengesë për një aventurë të re kuqezi të sulmuesit. Më pas Berisha u vetofrua të merrte pjesë në finalet e Francës, por atëherë kërkesa e tij u hodh poshtë, me arsyen se në atë aktivitet do të merrnin pjesë, ata që kishin kontrubuar për arritjen e suksesit. Ndërsa tani, futbollisti do të jetë pjesë e një tjetër Kombëtare shqiptare, asaj të Kosovës, ndoshta edhe për faktin se distanca nga Australia është zvogëluar disa kilometra.

Dje një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe vetë trajneri Bunjaki. “Në bisedën e fundit me Besart Berishën, më ka konfirmuar se që nga janari do të jetë i gatshëm për Përfaqësuesen e Kosovës. I bie nga ndeshja me Islandën. Ky është informacioni i fundit dhe i vetëm që kam nga Besart Berisha”, ka thënë Bunjaku për Telegraf. Ndërkohë që me ekipin e drejtuar prej tij do bashkohen edhe tre sulmues të tjerë, dy prej të cilëve emra të njohur këtej kufirit, si Atdhe Nuhiu, Dionis Avdiaj dhe Erton Fejzullahu. “Egërsira” Berisha, që nga vfiti 2011 ka luajtur 136 ndeshje në kampionatin Australian (me Brisbou Roar dhe Melburn Viktori), duke shënuar 85 gola, ndërkohë që ka luajtur edhe 17 ndeshje me Kombëtaren tonë.