De Biazi dhe “ruleta ruse” me sulmuesit e kombëtares!

Të gjithë e dinë historinë e Shkëlzen Gashit. Sulmuesi më elegant që ka kombëtarja shqiptare luan një rol periferik në skuadrën e De Biazit, por trajneri i Shqipërisë nuk është i vetmi që e bëri të vuante. Tek Bazeli, ai përjetoi një dramë edhe më të madhe, sepse provoi “ferrin” e stolit pafund menjëherë pasi fitoi dy herë Këpucën e Artë në Superligën e Zvicrës. Atje trajneri quhej Fisher, këtu De Biazi, ndërsa viktima është po ajo, Gashi.

Trillet e futbollit janë të tilla që për lojtarët nuk mund të ketë “shtet social”. Ose luajnë, ose jo, ose janë të lumtur, ose bien në dëshpërimin më të thellë. Kudo e njëjta gjë në bazë të preferencave teknike të trajnerëve, që shpesh herë i prishin punë edhe njëri-tjetrit.

De Biazi la jashtë nga lista e Izraelit, Sokol Cikalleshin. Kavajasi cilësohet prej tij si sulmuesi më tipik që i duhet kombëtares, por punën e prish trajneri aktual i “Çikes” në Turqi, që e ka lënë jashtë skuadre. Një tjetër beniamin i italianit mund të quhet Egdar Çani, dhe burime pranë De Biazit theksojnë se Çani ka karakteristikat e duhura për të, veçse nuk ka diçka tjetër. Vlonjati nuk ka ditur të menaxhojë vetveten.

Pak a shumë si Kaçe, dhe ndryshe nga Sadiku i cili edhe me një këmbë e bind De Biazin që ta thërrasë në kombëtare. Kjo është një histori reale, pa fajtorë, por shpesh me “viktima”.

B. Kuka