Argjentina i jep fund me futbollin, anulon kampionatin e kthehet ne 2021!

Pas Belgjikës dhe Holandës, ja një tjetër ligë e madhe që nuk mbyllet. Kjo është Superliga e Argjentinës, sezoni i të cilës cilësohet nul, pra merr fund para kohe, pas vendimit të Federatës Argjentionase të Futbollit. Ky vendim u mor për shkak të përhapjes së epidemisë së koronavirusit në shtetin e madh amerikanolatin. Pjesa e parë e sezonit përfundoi në muajin mars, por pastaj filloi ajo që quhet Kupa Superliga, e cila fillimisht u luajt pa tifozë, e pastaj u ndërpre për shkak të koronavirusit.

Duke shqyrtuar gjendjen në vend, drejtuesit sportivë vlerësuan se nuk ia vlente që të vazhdohej të luhej, ndaj anuluan gjithçka. Asnjë skuadër nuk do të bjerë nga kategoria, gjë që do të ndihmojë edhe Gimnasian e La Platës, të drejtuar nga Diego Armando Maradona. Gjithsesi, do të ketë skuadra që do të ngjiten një kategori më lart, ndaj pritet që struktura e ligës të zgjerohet. Futbolli pritet të kthehet në fushë vetëm në vitin 2021.

Argjentina nuk është e goditur nga koronavirusi aq shumë sa Europa, Kina apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por shqetësimi ekziston.

Deri tani janë raportuar rreth 4 000 të sëmurë, dhe thuajse 200 të vdekur, ndërsa presidenti Alberto Fernandez e zgjati periudhën e karantinës deri në 10 maj.

Sfidanti.al