Serisë A “i ngrin buzëqeshja”, qeveria mund ta ndërpresë futbollin!

Planet janë bërë të gjitha për t’i dhënë fund sezonit. Seria A ka shpresë që të paktën në muajin qershor të kthehet në fushë, nën masa të forta sigurie, por gjithçka mund të ndërpritet sërish. Autoritetet kanë paralajmëruar se kampionati do të ndalej sapo të zbulohej një i infektuar me koronavirus gjatë zhvillimit të tij.

Ky është qendrimi i Komitetit Tekniko-Shkencor të qeverisë italiane, që nuk la asnjë dyshim për mënyrën sesi do të veprojë në një rast të tillë. Kjo ka krijuar menjëherë një pasiguri të madhe te klubet e Serisë A, të cilët parashikojnë të pësojnë humbje të mëdha financiare nëse nuk do të arrijnë që të luajnë ndeshjet e mbetura në kampionat e në Kupën e Italisë, si dhe nëse nuk do të mundet të luajnë në kupat e Europës.

Projekti ishte që skuadrat të dilnin në stërvitje në muajin maj, duke respektuar rregullat e vendosura nga autoritetet për t’u mbrojtur nga koronavirusi. Më pas mund të fillohej me Kupën e Italisë, e në qershor të luhej Seria A. Për të lehtësuar ngarkesën fizike të futbollistëve, u bë edhe propozimi për të kryer nga 5 zëvendësime për çdo ndeshje, në vend të tre zëvendësimeve që bëhen sipas rregullores së FIFA-s.

Sfidanti.al