Murinjo ka të drejtë, “Fenomeni” Ronaldo ishte talenti më i madh i futbollit!

Dikur, Paolo Maldini, u shpreh se “Diego Armando Maradona dhe Ronaldo Nazario da Lima janë dy lojtarët më të mëdhenj më të cilët unë jam vënë përballë”. Zhoze Murinjo është i këtij mendimi, të paktën duke folur për “Fenomenin” brazilian, të cilin e ndoqi nga afër kur ishin që të dy tek Barcelona në 1996-1997. “Më pyesni se cili është lojtari më i mirë në botë nga ata që kam parë unë? – tha portugezi, – nëse flasim vetëm për talentin, ai është braziliani Ronaldo, më mirë se Mesi dhe Kristiano Ronaldo”. Murinjo theksoi se ishin dëmtimet ata që e shkatërruan një karrierë të shkëlqyer.

Ronaldo pësoi dëmtime kur ishte tek PSV Ajndhoveni në 1995, po ashtu dy herë tek Interi, dhe ishin pikërisht këta dy të fundit që ia dëmtuan më shumë karrierën. Ai e nisi futbollin në elitë kur ishte 16 vjeç tek Kruzeiro, duke shënuar 44 gola në 47 ndeshje. Me PSV-në shënoi 54 gola në 57 ndeshje, dhe tek Barcelona pati 47 gola në 49 ndeshje. Në sezonin e parë tek Interi arriti në 34 gola në 47 ndeshje, dhe më pas erdhën dëmtimet. Në këtë fazë të karrierës kishte shënuar 179 gola në vetëm 200 ndeshje! Ai pati shkëlqim sërish tek Interi dhe sidomos tek Reali (104 gola në 177 ndeshje), ndërsa me Brazilin pati 62 gola në 98 ndeshje, duke qenë i dyti shënues i të gjitha kohëve pas Pelesë, edhe pse Nejmari është vetëm 1 gol larg.

Fitoi 18 trofe në karrierë, mes të cilëve dy Kupa të Botës (ndonëse në 1994 nuk luajti asnjë minutë) e dy Kupa të Amerikës së Jugut. Ai u shpall 3 herë nga FIFA si lojtari më i mirë i vitit në botë, dhe fitoi dy herë Topin e Artë.

Sfidanti.al