Mesi si në kohët e arta, dominon çdo aspekt të lojës në La Liga

Është 30 vjeç, jo 25, dhe mund të mos e ketë aftësinë shpërthyese të atëhershme. Por vitet sjellin përvojën dhe Lionel Mesi sot është po aq i mirë sa në kulmet e tij, siç e provojnë statistikat e sezonit në La Liga. Ai vrapon më pak, por di më mirë se çfarë bën, qoftë kur shpërthen përpara, qoftë kur “ndërron marshin” dhe ul shpejtësinë.

Me 19 gola është shënuesi më i mirë i kampionatit spanjoll, ndërsa me 9 asistë është njeriu kryesor që shërben për të realizuar shokët. Me largimin e Nejmarit i duhej të gjente një shok dhe e gjeti tek Zhordi Alba, me të cilin merret vesh më mirë se me këdo tjetër.

Nuk është se Leo pushon shumë me trajnerin Valverde, pasi ai ka mesataren gati 89 minuta në fushë në ndeshjet ku luan. Në 33 takime këtë sezon, ka luajtur 30 (një herë i pezulluar, dy herë rotacion), dhe në 28 ka qenë titullar.

Mesi është në vend të parë edhe në renditjet e tjera të La Ligës, si gjuajtjet  në portë (53), gjuajtje gjithsej (122), goditje dënimi (27), pasime në fushën kundërshtare (949), pasime që ka marrë (1236), raste të pastër të krijuar (21) dhe prekje të topit në zonën kundërshtare (193).

Loja e tij magjike nuk spjegohet dot siç duhet me statistikat, pasi duhet ta ndjekësh gjatë ndeshjeve për të parë sesi dominon ndeshjen, sesi luan me topin, sesi merr pjesë në aksione, aq sa bën për vete edhe publikun kundërshtar, siç ndodhi në stadiumin “Vijamarin” ndaj Betisit.

Sfidanti.al