Mediat kroate “varrosin” Dinamon: Turp, të eleminoi ekip i nivelit të katërt!

U quajt një nga turpet e historisë. Dinamo e Zagrebit u kryqëzua nga mediat kroate, pasi Skënderbeu e ndaloi të shkonte në vjeshtën europiane. Në shënjestër trajneri Mario Cvitanoviç, i cili ishte kritikuar edhe pas përballjes së parë. Vetë trajneri deklaroi në konferencën për shtyp në “Elbasan Arena” se nuk e ndjente veten fajtor. “Unë bëj gjithçka mundem, – tha ai, – por, nëse ka gjëra që nuk shkojnë kjo nuk është për fajin tim. Nëse mendojnë se fajtori jam unë, atëherë dakord, s’ka problem”.

Gazeta “Jutarnji List” e Zagrebit ka si lajm të parë në rubrikën e sportit, fatin e trajnerit të Dinamos: A dëshiron Mario Cvitanoviç t’i mbijetojë katastrofës në Elbasan? Tek Dinamo po diskutojnë hapur për të ardhmen e tij. “Jutarnji List” e komenton kështu ndeshjen: Makth për Dinamon në Elbasan. Edhe pse me lojtar më shumë, blutë sterilë u eleminuan nga Skënderbeu dhe mbetën pa grupet e Ligës së Europës

“Jutarnji” lajmëron se ish-presidenti i Dinamos, dhe ende sot njeriu i fortë i klubit, doli nga spitali pas plagosjes me armë zjarri, dhe gjëja e parë që bëri ishte ndjekja e ndeshjes nga televizori, së bashku me miqtë e tij.

“Veçernji Listi”, po ashtu, merret me fatin e trajnerit të Dinamos:  A meriton Cvitanoviçi që të shkarkohet? Josip Simuniç po pret rastin e tij, ndërsa vendos edhe një foto të kandidatit për trajner me këshilltarin Zdravko Mamiç

Gazeta e njohur e mbrëmjes në Zagreb është e ashpër me klubin më të madh të Kroacisë: Kjo është katastrofë, turp për Dinamon, dhe fajtorë janë të gjithë. Është koha për remont. “Veçernji” nuk harron të theksojë se pas kësaj tronditjeje, Dinamo mbeti pa shkuar në fazën e grupeve në një nga kupat europiane, që nga viti 2007.

Media “24sata” (24 orë), e vlerëson kështu humbjen e bluve: Dinamo, pas turpit të tretë më të madh në histori, kërcënohet edhe nga largimi i lojtarëve.. Në Europë, ka vuajtur me ekipe të rangut të tretë apo të katërt. Televizioni publik kroat, HRT, informoi thjesht në mënyrë telegrafike: Dinamo i tha lamtumirë Europës pa gola në ndeshjen e kthimit.

Sfidanti.al