Panuçi, jo më “babaxhan” se De Biazi, më mirë tre debutues sesa dy senatorë “sherri”!

E shpalli listën e tij të parë. Trajneri i kombëtares, Kristian Panuçi, bëri të ditura përzgjedhjet e tij për dy ndeshjet eleminatore të radhës në Kupën e Botës. Italiani, pasardhës i De Biazit, habiti jo pak me listën e emrave, ku bëjnë pjesë tre debutues. Këta janë Memolla, Balliu dhe Ahmedi.

Hysen Memolla është mbrojtës i Hajdukut, 25 vjeç, lojtar i formacionit në skuadrën e shquar të Kroacisë. Ivan Balliu, gjithashtu 25-vjeçar, është po ashtu mbrojtës, veçse luan në një nivel më të lartë, me Mecin në Ligën e Parë franceze. i fomuar në akademinë e Barcelonës, ai ndodhet në Francë prej 3 sezonesh duke qenë titullar i Mecit.

Valon Ahmedi është më i ri, nuk ka mbushur ende 23 vjeç dhe luan në Slloveni për Mariborin, me të cilin u kualifikua për në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Trajneri Panuçi, ashtu si De Biazi, nuk ka thirrur Taulant Xhakën, ndonëse në grup bën pjesë Amir Abrashi. Mungesë tjetër është ajo e sulmuesit Bekim Balaj i cili ka një dëmtim. Lista e Panuçit përbëhet nga 24 futbollistë, dhe do të përballojë dy përballjet e Botërorit, në 2 shtator në “Elbasan Arena” ndaj Lihtenshtajnit, dhe në 5 shtator ndaj Maqedonisë, në stadiumin e Strumicës.

Sfidanti.al