Konte, përse lejove që Çelsi të arrinte deri këtu me lojtarët?!

Me një llogari të thjeshtë, Antonio Konte, e ka “masakruar” skuadrën e tij të Çelsit. Që nga vera e kaluar e deri tani, bashkë me Nemanja Matiçin (që shkon tek Murinjo), bëhen 17 futbollistë të larguar, ndërsa zëvendësime kanë ardhur pak. Oskar, Xhon Obi Mikel, Ivanoviç ikën vjet, ndërsa Zuma, Loftus-Çik dhe Braun janë dhënë hua. Pas pak ditësh luhet finalja e Superkupës së Anglisë ndaj Arsenalit dhe Konte duhet të llogarisë mungesën e Hazarit, Bakajokos dhe besohet edhe të Pedros, që janë të gjithë të dëmtuar.

Jo vetëm kaq. Kapiteni Terri u largua, Solanke shkoi tek Liverpuli, ndërsa Ejk, Begoviç, Traore, Acu dhe Çalobah po ashtu u transferuan. Nuk dihet nëse Alvaro Morata do të jetë gati, ndërsa Diego Kosta nuk pritet që të pranohet në ekip për të luajtur. Vetëm në 2017 janë larguar 12 vetë, ndërsa italiani ende nuk ka mundur të bëjë përforcimet e duhura me shumë pak përjashtime. Për t’ia bërë Kontes edhe më të vështirë Superkupën, Viktor Mozes është i pezulluar. Nuk dihet nëse trajneri i bluve do t’ia dalë të krijojë skuadrën e duhur për të luftuar në dy fronte, në Champions dhe Premier Ligë.

Sfidanti.al