Konte, krahasim me nisjen tek Juvja: Sot, si atëherë nuk jemi favoritë!

Mund të kesh fituar 5 ndeshje radhazi dhe të jesh në krye të renditjes, por ende të mos kesh garancitë e duhura për të mbërritur i pari pikërisht në fund. Antonio Konte e thotë edhe për lojtarët e tij, por edhe sipas logjikës së gjërave, që Interi i tij nuk mund të quhet ende favorit për fitoren e titullit në Itali. Ish-lojtari i Juventusit dhe i Italisë, bën krahasimin me kohën kur mori drejtimin e Juves në 2011.

“Sot nuk jemi mes favoritëve, – e nis ai, – Juventusin dhe Napolin i shoh përpara nesh, por kjo nuk i ndryshon objektivat. Ne nuk luftojmë për të humbur. Mbaj mend kur u bëra trajner i Juves, dhe ishte një Milan me kampionë, ishte ende Interi i tripletës, ishte Napoli. Ne ishim një grup i organizuar, nuk humbëm asnjë ndeshje, por patëm shumë barazime, dhe e patëm të vështirë. U treguam të zotët, shpresoj të jemi kështu edhe tani”. Ndeshja e radhës është në Gjenovë ndaj Sampdorias, dhe Konte e vlerëson si pengesë të fortë, në një stadium entuziast, e ndaj një skuadre me trajner që po punon shumë mirë, siç është ish-tekniku i Romës, Euzebio Di Françesko.

Sfidanti.al