Tirana me “pesë yje” në Gjirokastër, Kukësi “shkërmoq” Partizanin e Sormanit!

Tirana arriti një tjetër fitore në Superligën shqiptare duke iu afruar edhe më shumë titullit kampion. Skuadra e trajnerit Emanuel Egbo, triumfoi 5-0 në Gjirokastër ndaj Luftëtarit dhe arriti në kuotën e 59 pikëve pas 28 javëve të luajtura deri tani.

Për kryeqytetasit autorë të golave ishin Vangjeli, Kobina, Hasani, Batha me penallti dhe Dunga. Bardheblutë ishin edhe pranë golit të gjashtë, por sulmuesi Grenti Halili, i hedhur në fushë si zëvendësues, gaboi nga pika e 11-metërshit. Sukses i madh për Tiranën që po shkon drejt titullit të parë pas 10 vjetësh, të 25-in në histori (një rekord i kampionatit), si dhe po feston siç duhet 100-vjetorin e themelimit të klubit.

Kukësi, ndërkaq,e ruajti diferencën prej 9 pikësh me tiranasit, sepse fitoi 3-1 ndaj Partizanit në stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet. Skuadra veriore ia doli falë golave të shënuar nga Abazaj dhe Etemi, ndërsa lojtarët e Partizanit shkaktuan edhe autogol në portën e tyre. Me këtë disfatë, pozita e trajnerit italian të Partizanit, Adolfo Sormani, rrezikohet edhe më shumë, pasi ka pësuar 5 humbje në 5 ndeshjet e fundit.

Në ndeshjet e tjera të javës së 28-të, Laçi mundi 5-2 Vllazninë, Bylisi mundi 1-0 Teutën, ndërsa Skënderbeu fitoi 1-0 në Vlorë ndaj Flamurtarit. Pas kësaj humbjeje, skuadra vlonjate bëhet e para që bie zyrtarisht nga Superliga.

Java 28: Luftëtari-Tirana 0-5, Partizani-Kukësi 1-3, Laçi-Vllaznia 4-2, Bylis-Teuta 1-0, Flamurtari-Skënderbeu 0-1.

Renditja: Tirana 59 pikë, Kukësi 50, Skënderbeu 47, Laçi 45, Teuta 41, Bylis 39, Vllaznia 38, Partizani 38, Luftëtari 14, Flamurtari 11.

Sfidanti.al