Kukësi “luan vetëm” në Elbasan Arena, i afrohet Partizanit në renditje

Nuk pritej të ishte nga më të vështirat, por jo edhe kaq e lehtë. Ka disa herë ndeshje të tilla në Superligën shqiptare ku gjithçka shkon sipas parashikimit, dhe ku me më shumë interes është të marrësh vesh rezultatin, sesa të ndjekësh lojën. Kukësi mundi 3-0 Luftëtarin në një “Elbasan Arena” të boshatisur dhe u afrua në 6 pikë me Partizanin kryesues.

Limaj, Xharia e Valdet Rama shënuan në pjesën e parë, dhe në fundin e pjesës së dytë, për formacionin e trajnerit Cungu, ndërsa gjirokastritët u kujtuan të luanin vetëm në 25 minutat e fundit. Në dhjetor, dy klubet u morën vesh për transferimin e Shkurtajt dhe Rrocës nga Luftëtari te Kukësi, dhe sulmuesi ishte në formacion, madje dha edhe top për gol, kurse mesfushori mungoi për shkak dëmtimi.

Kuksianët dominuan lojën deri në minutën e 65-të, dhe i vetmi lajm i keq për ta ishte dëmtimi i mbrojtësit të rëndësishëm Cuculi, i cili u detyrua të linte fushën e lojës. Me Musollin po ashtu të dëmtuar, Cungu mund ta ketë problem qendrën e mbrojtjes, nëse shqiptari i Maqedonisë mungon gjatë.

Pas 24 ndeshjesh të luajtura, Kukësi ka 44 pikë ndaj 50 të Partizanit, ndërsa Luftëtari mbeti në kuotën e 25 pikëve, 5 pikë mbi zonën që të zbret në Kategorinë e Parë.

Sfidanti.al