Kush tha se ishte duel mes Lebronit dhe Antetokumpos?!

Jo, nuk ishte i tillë dhe Lebron Xhejms e kuptoi edhe më mirë se përse e ka kaq të vështirë të triumfojë me Lejkërsat. Numri 1 i basketbollit në botë pësoi një tjetër humbje, madje brenda në Los Anxhelos, shkaktuar nga skuadra më e mirë e sezonit në NBA, Miluoki Baks.

Vetë Xhejmsi luajti shkëlqyeshëm, pasi shënoi 31 pikë, kapi 7 topa në tabela, shërbeu 10 asistë dhe vodhi një top. Për fat të keq, vetëm Brandon Ingram (31 pikë) dhe Rejxhën Rondo (20) iu përgjigjën thirrjes së tij “të luftës”, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës u dorëzua shpejt.

Janis Antetokumpo, që cilësohet si “Lebroni i ri”, nuk pati ndeshjen më të mirë, por pati skuadrën më të fortë në krah. Ai shënoi vetëm 16 pikë, kapi 15 topa në tabela, shërbeu 6 asistë dhe bllokoi 3 gjuajtje. Erik Bledsou shënoi 31 pikë, Brogdon shtoi 21, Midëllton ishte autor i 18 pikëve të tjera, Iljasova shënoi 12, dhe Lopez e Mirotiç patën edhe ata nga 11 pikë.

Kjo bëri që Miluoki të fitonte 131-120 në “Stejpëlls Sentër”, duke mbetur numri 1 në Konferencën Lindore dhe numri 1 i sezonit të rregullt në NBA me 48 fitore e 14 humbje. Lejkërsat e Lebronit janë në vend të 10-të në Perëndim, dy pozicione poshtë zonës së plej ofit, me vetëm 30 fitore e 32 humbje.

Sfidanti.al