UEFA dënon Ramosin, De Jong i Ajaksit e thumbon

Sergio Ramos u dënua nga UEFA që të mos luajë dy ndeshje të Ligës së Kampioneve (LK), duke qenë se mori qëllimisht karton të verdhë në ndeshjen e parë (1-2) të 1/8-tës së finaleve të LK-së mes Ajaksit dhe Realit.

Gjithsesi, nuk mjaftoi dënimi që do ta lerë jashtë çerekfinales së parë të mundshme, por erdhën edhe ngacmimet nga Amsterdami. Ylli i ri i holandezëve, Frenki De Jong, u shpreh se “kjo mund ta ndihmojë Ramosin që të pendohet dhe të mos bëjë në të ardhmen gjëra të tilla”. Ndoshta, De Jongu ka nisur të flasë që tani si lojtar i Barcelonës, ku do të kalojë që nga vera e ardhshme.

Kapiteni i “mbretërorëve”, në min. e 88-të të ndeshjes, faulloi qëllimisht futbollistin e Ajaksit, Kasper Dolberg, me synimin që të merrte kartonin e verdhë dhe të mos luante në ndeshjen e kthimit në “Santiago Bernabe”.

UEFA gjeti videoregjistrimin, ku Ramosi tregohet, duke sinjalizuar stolin e tij se ai do të bëjë faull që të marrë të verdhën! Ramosi e mori kartonin e verdhë qëllimisht që të mos luante dhe të bënte pushim në ndeshjen e kthimit me Ajaksin në Madrid, pasi vetëkuptohet se Reali është favorit bindës për t’u kualifikuar më tej në LK.

Sidoqoftë, UEFA u tregua me e zgjuar se Ramosi dhe ky i fundit tani nuk “do të pushojë” një ndeshje, por dy, pra edhe ndeshjen e parë çerekfinale te LK-së,  nëse Reali do të arrijë deri te kjo fazë. Interesante është se Ramosi fillimisht e pranoi se kishte faulluar qëllimisht që të merrte të verdhën, gjë që më vonë ai e hodhi poshtë.

Sfidanti.al