Trajnerët italianë dashurojnë Europën, pyesni Alegrin e Spaletin!

Pushimi një ditë merr fund, dhe për një profesionist nuk është asnjëherë i mirë kur zgjatet shumë. Dy emra të shquar të trajningut italian si Masimiliano Alegri dhe Luçiano Spaleti po bëhen gati të kthehen në stol, veçse do të jenë stola që nuk do të “flasin” italisht. “La Gazeta delo Sporti” shkruan se ish-juventini po merr një kurs tjetër, dhe jo më kot e ngacmon duke shkruar “Monsjë Alegri” (Monssieur Allegri, madje duke i dhënë theksin tek shkronja e fundit, siç bëjnë francezët).

Me gjasë, Alegri duket se mund të ulet në stolin e Paris SG, dhe kjo sepse sheikët e kryeqytetit të Francës duket se pëlqejnë më shumë pjekurinë dhe përvojën e italianit sesa vrullin dhe rininë e Tomas Tuhelit. Po Spaleti? Ish-trajneri i Romës, Zenitit të Shën Peterburgut dhe Interit, ia “ka vënë syrin” Premier Ligës. “Nuk ka rëndësi projekti ekonomik, mua më pëlqen të bëj rolin e trajnerit, – shprehet ai, – kam dëshirë të kthehem në stol”. Tashmë, Spaleti është gati të merret vesh me Marotën dhe të sakrifikojë 4.5 milionë euro në vit që vazhdon të marrë nga Interi.

Sfidanti.al