Kaos tek Interi, a mund të luajë Ikardi pas fjalëve të Spaletit?!

Në parim, trajneri pati të drejtë, por ndoshta diplomacia duhej të ishte aty. Luçiano Spaleti volli vrer kundër Mauro Ikardit, duke mos duruar ngacmimet e gazetarëve për faktin që e la jashtë skuadrës në ndeshjen (e humbur) ndaj Lacios. Disfata ishte me një rivale direkte dhe rrezikon Championsin, por më shumë e rrezikon “lufta civile” tek zikaltërit.

“Ikardi ndoshta iu argëton juve, – u acarua trajneri interist, – për mënyrën sesi u soll këto kohë duhej të mbetej jashtë skuadrës, duhej të luanin të tjerët. Jeni ju gazetarët që krijoni një novelë. Ikardi ishte në gjendje fizikisht të luante edhe 45 minuta, por së pari ka rëndësi të shkojë mirë me shokët e ekipit. Unë e kam kredibilitetin me lojtarët e mi prej 22 vjetësh”.

Spaleti sulmoi edhe kur u pyet për rrezikimin e Championsit. “Sa vjet ka këtu Ikardi dhe sa herë ka shkuar Interi në Champions? – tha ai, – kemi humbur edhe me Ikardin në fushë, është e turpshme të bindim dikë që të veshë fanelën e Interit”. Më tej, trajneri e ofendoi sulmuesin duke thënë se “Ikardi nuk bën diferencën, diferencën e bëjnë Ronaldo dhe Mesi”.

Spaleti premtoi se Ikardi do të luajë ndeshjen e radhës, por pritet të shihet sesi do të luajë. A mundet që këta të dy të jetojnë “nën një çati”? Ky është problemi kryesor i Interit, pasi rivaliteti për të shkuar në Champions është i madh dhe skuadra duket e tronditur, edhe pse e fitoi derbin me Milanin.

Sfidanti.al