Premier Liga e mrekullueshme, lexoni deri ku arrin Çelsi!

Me trajnerë nga më të mëdhenjtë dhe me paratë e gjithë botës, Premier Liga grishte shumë këtë sezon. Po ia arrin qëllimit edhe për ata që nuk janë aspak tifozë të kampionatit anglez. Përtek shkëlqimit kontinental dhe botëror të Guardiolës, Klopit apo Murinjos, është Antonio Konte ai që po tërheq më shumë vëmendje.
Përse pikërisht italiani? Jo vetëm për faktin se Çelsi është në krye, pasi kjo mund të jetë edhe e përkohëshme. Mançester Siti quhet pretendent më i madh për të fituar titullin. Djemtë e ish-juventinit po tregojnë, gjithsesi, se do të jenë jashtëzakonisht të vështirë për t’u thyer.
Llogaritarët e statistikave zbuluan se portieri Tibo Kurtua, me pritjen që bëri në minutën e 78-të të ndeshjes në fushën e Midëllsbrout, provoi gjuajtjen e parë të saktë në portën e tij pas 4 orësh e 48 minutash. Diçka vërtet e pabesueshme në një kampionat kaq të fortë si ai anglez, ku luajnë disa nga lojtarët më të mëdhenj të botës. Mançester Junajtid, Leiçester, Hull, Sauthempton, Everton dhe Midëllsbrou janë përkulur radhazi para bluve.
Ka një dallim të madh mes Çelsit të 6 ndeshjeve të para në kampionat, dhe 6 të dytave, që ndahen nga disfata e rëndë 0-3 në fushën e Arsenalit. Në 6 të dytat janë shënuar 17 gola ndaj 10 në të parat, janë bllokuar nga portieri apo mbrojtja 2 gjuajtje në portë ndaj 8 në të parat, është dyfishuar mesatarja e golave të shënuar në krahasim me gjuajtjet në portë, nuk është pësuar asnjë gol, ndaj 10 rrjetave të pësuar në të parat, dhe është përgjysmuar numri i gjuajtjeve të kundërshtarëve drejt portës.