Liverpuli priste lajme të mira, por Gomezi mund të mungojë gjatë

Xho Gomez ishte një nga lojtarët më të mirë të skuadrës në gjysmën e parë të sezonit, por ai mungon që prej 5 dhjetorit. Tani mbushen dy muaj, që Liverpuli është pa njërin nga mbrojtësit kryesorë të qendrës, dhe trajneri Jurgen Klop informon se shpresa nuk është që të kthehet shpejt. “Gomez mungon ndaj Bajernit në 19 shkurt, – tha Klopi, – dhe nuk përjashtohet kategorikisht mundësia për një operacion”.

Kjo, edhe pse 21-vjeçari e mori veten nga thyerja e këmbës dhe madje nisi vrapimin. Mjekët e kanë vizituar përsëri dhe kanë vendosur se ai ka nëvojë, ndoshta, për operacion, për të zgjidhur problemin. Nëse nuk do të ketë operacion, mundet që Gomez të jetë me ekipin në 3 muajt e fundit të sezonit, por nëse kalon “nën thikë”, koha e rikuperimit do të jetë më e gjatë.

Gjithsesi, lajmet nga lojtarët e tjerë janë më të mirë. Aleksandër Trent-Arnold mund të kthehet javën tjetër pas dëmtimit në gju, mbrojtësi Lovren është mirë, Vajnaldum është stërvitur, pra është gjithashtu gati.

Sfidanti.al