Abramoviçit i ka ardhur në majë të hundës, do të shesë nëntë lojtarë!?

Dihet, pak e shumë, se trajneri italian i Çelsit, Antonio Konte, do të largohet në fund të sezonit nga klubi i “Stemford Brixhit”, por ka shumë mundësi që bashkë me të largohen edhe nëntë lojtarë të tij. Gazeta angleze “Telegraf” shkruante, dje, se pronari i “bluve” të Londrës, Roman Abramoviç, nuk ka ndërmend që ta durojë më shumë turpin e këtij klubi londinez, duke vendosur që t’i marrë vetë “frerët” e tij në dorë.

Fillimisht, pritet që ai “t’i japë duart” trajnerit italian, Antonio Konte që, sezonin e kaluar fitoi titullin e kampionit të Premier Ligës, por, këtë sezon, ka shumë mundësi që ai të mos arrijë dot as deri te një nga vendet që të çon në Champsion-sin e ardhshëm. Thuhet se Abramoviçi po përpiqet që të sjellë në “Stemford Brixh” trajnerin aktual të Juventusit, italian Masimo Alegri.

Nga Çelsi, sikurse shkruan media angleze, do të largohen, gjithashtu, dy yjet të ekipit, Eden Azar dhe portieri Tibo Kurtoa, emri i të cilit ka kohë që lidhet me Realin e Madridit. Thuhet se të dy këta lojtarë belgë do të largohen në fund të sezonit nga klubi londinez që, sezonin e ardhshëm, ka shumë mundësi që të mos marrë pjesë në Champions-in e radhës. Pritet që nga Çelsi të largohen edhe Cesk Fabregasi, Pedro, Gari Kejhill, David Luiz dhe Olivie Zhiru që, në fakt, ka ardhur në “Stemford Brixh” vetëm para dy muajsh. Miçu Batshuai dhe Kurt Zuma që janë dhënë hua, vështirë se do të kthehen, kështu që edhe ata mund të konsiderohen të larguar.

Sfidanti.al