Kukësi i tregon vendin Partizanit dhe fiton Championsin, Guri mund Çanin

Kush mund ta parashikonte një rezultat të tillë? Mes dy ekipeve më të mirë të Shqipërisë, pas Skënderbeut, pritej një sfidë e fortë, por ajo doli krejt e njëanshme në favor të Kukësit. Partizani u dorëzua pa kushte në stadiumin “Zeqir Ymeri”, aty ku kishte fituar në ndeshjen e fazës së dytë me ish-trajnerin Sulejman Starova, ndërsa tekniku i tanishëm, Klevis Dalipi, mori goditjen e parë të rëndë në karrierë.

Shifrat 4-0, vulosur falë një tregolëshi të Gurit, thuajse përcaktojnë Kukësin si ekipin që do të renditet i dyti në përfundim të sezonit dhe që do të shkojë në Champions, nëse dënimi i Skënderbeut nga UEFA mbetet në fuqi në KAS. Partizani, përtej formës së mirë të javëve të fundit, nuk mundi të bënte dot asgjë, në një nga ndeshjet më të dobëta të këtij edicioni me shumë probleme.

Emblema më e mirë e diferencës së dy ekipeve ishte paraqitja e dy sulmuesve kryesorë, me Gurin që shënoi tri herë, dhe me Edgar Çanin e superpaguar që nuk ia doli dot as edhe një herë të vetme.

Çfarë ndodhi me kryeqytetasit? Mos vallë ata u tronditën shumë nga fakti se titulli i 2016-ës që e pretendonin për vete, iu rikthye korçarëve? Pak besohet kjo, pasi shumëkush e priste vendimin e KAS-it, ndërsa Partizani thjesht tregoi se çoroditja e një sezoni të tërë nuk mund të fshihet në pak javë.

Të kuqtë jo vetëm thuajse u dorëzuan për vendin e dytë, duke qenë 9 pikë larg Kukësit, por rrezikojnë edhe vendin e tretë që të kualifikon për në Ligën e Europës. Luftëtari është një pikë prapa pas suksesit 2-1 ndaj Laçit, por edhe kurbinasit nuk janë larg. Në Gjirokastër, vendasit shënuan me anë të Bregut e Shkurtajt, ndërsa laçianët u përgjigjën vetëm me autogolin e Liçajt.

Pretendime matematikisht për në Europë ka edhe Flamurtari që fitoi 2-0 në fushën e Lushnjes, me golat e Nedeljkoviçit dhe Useinit.

Sfidanti.al