Lavdia më e madhe tashmë u rikthye. Superliga do ta ketë sërish ekipin me më shumë tituj në historinë e saj, Tiranën, pasi ajo e arriti matematikisht ngjitjen në kategori. Nuk ishte mënyra më e mirë për ta bërë, por sidoqoftë ndaj Pogradecit në “Selman Stërmasi” ishte fitore, qoftë edhe me shifrat e ngushta 3-2, dhe kjo do të thotë se kryeqytetasit nuk mund të arrihen më nga Bylisi i vendit të dytë.
Pavarësisht suksesit, tek Tirana ende nuk ka paqe, pasi tifozët e saj ultras vazhdojnë të jenë hatërmbetur me klubin. Tifogrupi “Tirona Fanatiks” doli me një deklaratë menjëherë pas ngjitjes në Superligë, duke akuzuar klubin. “Tirona në letër, dhe jo-Tirona në fushë siguroi matematikisht kalimin, duke e reklamuar si rikthim ku e ka vendin klubi, – shkruhej në deklaratë, – Tirona, për tifozët bardheblu, meriton gjithmonë të jetë kampion, vit pas viti, dhe kjo nuk është kapriço, është çështje ADN-je”.
Me shumë gjasë, tek Tirana mund të kenë edhe një çështje tjetër, atë të trajnerit. Ze Maria u largua nga stadiumi “Selman Stërmasi” pa dashur të fliste për mediat, diçka që nuk kishte ndodhur në të kaluarën, ndërsa burime në klub pohojnë se ende nuk është rënë dakord për zgjatjen e kontratës së tij edhe me një vit tjetër.
Sfidanti.al