Një nga agjentët më të rëndësishëm të futbollit nuk është i bindur se Reali i Madridit do të arrijë ndonjëherë të marrë Nejmarin, të paktën tani afër. Pini Zahavi, izraeliti i famshëm, është i bindur se ka disa kombinime që nuk mund të ndodhin në lojën e sotme të topit.
“Nejmar e Ronaldo nuk mund të luajnë në një ekip, – u shpreh agjenti i Drogbasë apo i Rio Ferdinandit, – në futbollin e sotëm ka vetëm 3 superyje, Mesi, Kristiano dhe Nejmari dhe ata nuk mund të jenë në të njëjtën skuadër”.
Zahavi arsyetoi se Nejmar erdhi tek Barcelona si djalë fare i ri, por u rrit dhe kërkoi pavarësinë e tij. “Ai u largua nga Barça dhe bëri atë që duhej të bënte, – u shpreh ai, – tek Barcelona ai ishte gjithnjë i dyti, pas Mesit, i dyti për penalltitë, goditjet e dënimit, për çdo gjë, dhe nuk donte të jetonte në hijen e Mesit”.
Paris SG pagoi 222 milionë euro për ta marrë, por dështoi që të fitonte Championsin, ndërsa Nejmar u dëmtua dhe jo vetëm nuk luajti dot në ndeshjen e dytë ndaj Realit, por edhe rrezikon Botërorin me Brazilin.
Sfidanti.al