Skënderbeu arriti një tjetër fitore në Superligën shqiptare duke forcuar pozitat në krye të renditjes. Skuadra më e mirë e kampionatit, sidoqoftë, e pati shumë të vështirë ndaj Kamzës, edhe pse luajti në Korçë, dhe ia doli vetëm me shifrat 3-2, madje edhe me polemika. Muzaka dhe Soue i dhanë vendasve epërsinë 2-0, por Kamza u përgjigj duke e barazuar rezultatin brenda pjesës së parë.
U desh një gol i sulmuesit Xhejms, me të filluar pjesa e dytë, që të rikthehej avantazhi, veçse ndeshja mbeti e hapur deri në fund. Skuadra mike madje pretendoi edhe për një 11-metërsh në minutat e fundit, por gjyqtari nuk akordoi asgjë.
Mënyra sesi shkoi ndeshja u përcaktua nga diferenca e madhe e Skënderbeut me skuadrat e tjera, si dhe nga fakti që Kamza rrezikon seriozisht të bjerë nga kategoria. Pas 29 ndeshjeve të luajtura, ekipi i trajnerit Daja kryeson me 66 pikë, 12 më shumë sesa Kukësi.
Sfidanti.al