Liverpuli është skuadra e dytë më e mirë shënuese e Premier Ligës, ndërsa Mohamed Salah është padyshim numri 1 i golave të sezonit. Të kuqtë e Jurgen Klopit arritën një tjetër fitore, 3-0 ndaj Bornmuthit, dhe egjiptiani realizoi përsëri. Suksesi bëri që liverpulasit të kenë 78 rrjeta në këtë sezon të kampionatit, me Sitin që kryeson me 90, ndërsa Salah të shkëputet në krye të tabelës së shënuesve me 30 rrjeta.
Realizimi në “Anfild” bëri që sulmuesi 25-vjeçar të arrijë në 40 gola në sezon për skuadrën e tij, i pari që e bën që nga koha e Jan Rashit, këtu e 31 vjet më parë. Gjithsej, janë 3 lojtarë në historinë e Liverpulit që kanë mbërritur në 40, Roxher Hant, Jan Rash dhe Mohamed Salah.
Egjiptiani ka synim të arrijë dhe të kalojë rekordin e Rashit me 47 gola në një edicion, ndërsa do të ketë në dispozicion të paktën 5 ndeshje në kampionat dhe 2 në Champions (që mund të bëhen 3 nëse arrihet finalja). Po ashtu, synohet rekordi i golave në një sezon të Premier Ligës, që mbahet nga Alan Shirer dhe Andi Koul me nga 34. Salah mund të fitojë Këpucën e Artë të Anglisë dhe të Europës.
Sfidanti.al