Lukaku e luti Sançezin për në Milano, Interi nuk e do më Dibalën!

Transferimi ishte i pritshëm dhe pjesa kryesore e rrogës do të merret sërish në Mançester, por për të luajtur do të jetë në Lombardi. Aleksis Sançez mezi po priste që kjo të ndodhte, ndërsa një arsye më shumë për të vendosur kështu ishte lutja që i bëri ish-shoku i ekipit, Romelu Lukaku. “Të lutem që të vish sa më shpejt në Milanon e bukur dhe elegante, – ishin fjalët e belgut në telefon për kilenin, – këtu jetohet shumë më mirë sesa në Mançester”.

Interi do të paguajë rreth 200 000 paundë stërlina rrogë në javë për Sançezin, ndërsa Junajtid do të japë 300 000 të tjera. Zikaltërit e kanë në huazim sulmuesin, pa detyrim për ta marrë vitin tjetër. Pas kalimit të tij në Milano, Marota dhe Konte e ftohën interesin për Paulo Dibalën e Juventusit, ndërsa nuk dihet se çfarë do të ndodhë me Mauro Ikardin, i cili me shumë gjasë do të jepet tek “blerësi më i përshtatshëm”.

Sfidanti.al