Spanjë, pse humbe kaq thellë me Rusinë para Botërorit?!

Kishte arritur pesë fitore dhe kishte pësuar vetëm një humbje, atë ndaj SHBA-së. Spanja po shkonte për në Botërorin e koshit me krenarinë e pretendentes për medalje, aq më shumë që me amerikanët luftoi gati si e barabartë deri në fund, por ja ku erdhi disfata e rëndë me Rusinë vetëm 3 ditë para nisjes së Kupës së Botës. Natyrisht, ishte miqësore, dhe pati mungesa e kufizime, por rezultati 55-74 ishte shqetësues për trajnerin shumë të mirë, Serxho Skariolo.

Minusi kryesor ishte mungesa e lojtarit më të mirë, qendrës Mark Gasol, që ka probleme me zorrët. Edhe ylli tjetër i NBA-së, Riki Rubio luajti pak, dhe nuk ishte aspak në parket në pjesën e dytë. Mungoi edhe basketbollisti i Realit, Rudi Fernandez, dhe kjo nuk është pak për Spanjën e sotme, që nuk ka më një Pau Gasol, një Garbahosa, një Kalderon apo Huan Karlos Navarro. Tronditja më e madhe ishte sepse rivali, Rusia, nuk është në atë formë që mund të bëjë gjëra të mëdha, sidomos edhe në mungesë të lojtarit më të mirë, Aleksei Shved.

Sfidanti.al