Nuk mund të thuhet saktësisht kështu. E vërtetë që shefi ekzekutiv do të vazhdojë në detyrë dhe që presidenti do të largohet (ende jo i njoftuar zyrtarisht), por do të jetë vetë Uli Hënesi që do të zgjedhë pasardhësin. Të paktën kështu thotë ish-kryeministri i Bavarisë (ministër-president) Edmund Shtojber, njeri me shumë njohje dhe influencë tek Bajerni. Gazeta “Bild” njofton se 67-vjeçari Hënes do të largohet si president pas kritikave të ashpra që mori në Asamblenë e kaluar, konflikteve me Rumenigen, por edhe dëshirës për të qenë më pranë nipërve dhe mbesave.
Pasardhës i tij pritet të jetë 65-vjeçari Herbert Hainer (në foto me Hënesin), ish-bosi i Adidasit. “Hainer është një zgjidhje e nivelit të lartë si pasardhës, – u shpreh Shtojberi 77-vjeçar, – ai ka pasion, aftësi drejtuese, është i aftë të mbulojë boshësinë e lënë nga Hënesi. Ishte vetë Uli Hënes që e propozoi”. Zgjedhjet për president do të jenë në nëntor, dhe për momentin Hainer nuk ka rival, ashtu siç nuk pati Hënesi.
Sfidanti.al