Zidan i gjithi në sulm për Pogbanë, por … rrezikon postin!

Nëse do të flisnim me gjuhën e ligjit e të politikës, i bie që ai ka humbur imunitetin. Cili të jetë vallë? Pikërisht Zinedin Zidan, trajneri me emër të madh i Realit të Madridit, i cili as nuk mund të mendohej se do të rrezikonte ndonjëherë shkarkimin. E thotë vetë “Meka” e madridizmit, gazeta “Marka”, që pohon se Zizu nuk është më i paprekshëm, pas rezultateve të sezonit të kaluar, atyre të verës, dhe nisjes jo bindëse të edicionit të tanishëm.

Natyrisht, nuk bëhet fjalë që Zidan të shkarkohet tani shpejt, pasi Reali është një pikë mbi Barcelonën në renditje dhe vetëm 2 pikë prapa Atletikos, ndërsa janë luajtur vetëm dy ndeshje në La Liga. Çështja është që thjesht ka ndryshuar statusi i tij, nga i paprekshëm, në “njeri të zakonshëm prej mishi e gjaku”, që mund të pësojë fatin e çdo trajneri tjetër në këtë botë. Edhe kaq nuk është pak, pasi gjatë prezantimit të parë, presidenti Florentino Perez u shpreh se “po prezantoj si trajner një njeri për të cilin fjala “e pamundur” nuk ekziston”.

Sfidanti.al