Diego besfason kudo, në shortin e Botërorit Maradona me dy orë dore?

Diego Maradona shkakton trazira kudo që shkon, qoftë për vizita zyrtare, qoftë për ato private dhe kështu ndodhi edhe gjatë ceremonisë zyrtare të hedhjes së shortit që u zhvillua, ditët fundit, në një nga sallat kryesore të Kremlinit të Moskës, ku ai u pa se kishte vënë dy ora dore?

Sikurse dihet, Maradona ishte ngarkuar që të tërhiqte topthat që të zbulonte fatin e përfaqësueseve më të mira të botës. Dihet se Maradona ka një karakter ekscentrik, por, sidoqoftë, ai, përsëri, e habiti shumëkënd, sepse, pasi tërhoqi mëngët, u pa se ai kishte vënë dy ora dore. Ish-futbollisti i famshëm argjentinas ishte veshur i gjithi, nga këmbët deri te koka, me të zeza, ndërsa në sy binte kollarja e tij e verdhë, pra, kishte një stajling të përsosur, por edhe dy ora, një në secilën dorë? Një figurë ekscentrike duhet të ketë, gjithnjë, dy ora? Sidoqoftë, kishte jo pak nga ata që dhanë një shpjegim të thjeshtë: Një orë për të treguar kohën në vendin, ku ndodhet, dhe një tjetër, për të treguar kohën në Argjentinën e tij!

Sfidanti.al