Poçetino e quajti Ajaksin favorit, Ten Hag tallet me kolegun

Totenhem-Ajaks është një duel dy shkollash dhe dy realitetesh të ndryshme. Në një anë, skuadra e Premier Ligës me buxhet të madh dhe lojtarë të shtrenjë, dhe nga ana tjetër ekipi holandez, pjesë e një lige shumë më të vogël, me lojtarë që marrin “diplomën” në Amsterdam, për të fituar milionat në Angli, Spanjë, Itali apo Gjermani.

Kjo diferencë nuk mund të mos ndihej në konferencat përpara ndeshjes gjysmëfinale të Championsit, që do të zhvillohet sot në mbrëmje në Londër. Trajneri i Totenhemit, Maurisio Poçetino, deklaroi se Ajaksi duhet të quhet favorit sepse ka eleminuar Realin dhe Juventusin, por sidomos sepse pati mundësi të pushonte më shumë sesa skuadra e tij. “Një avantazh i padrejtë i tyre, – theksoi argjetinasi, – ne luajtëm në fundjavë ndaj Uest Hemit, ndërsa ata pushuan”.

Nuk mungoi përgjigja e teknikut të amsterdamasve, Ten Hag. “Dëgjova kolegun tim, Poçetino, që na quan favoritë, – tha ai, – ndoshta, ai harron që skuadra e tij luan në Premier Ligë dhe që lojtarët e tij paguhen miliona paund stërlina në vit. Ne fitojmë 10 milionë euro në vit sepse luajmë në ligën tonë, ndërsa ata fitojnë shumë herë më tepër. A nuk ju duket kjo e padrejtë ndaj nesh?”

Sfidanti.al