Guardiola-lojtarëve në prag të Championsit: Do të na vrasin nëse humbasim!

Pep Guardiola ka përdorur fjalë të mbushura me kërcënim për të motivuar lojtarët e tij në prag të ndeshjes së Championsit ndaj Monakos. Përballja do të jetë në stadiumin “Etihad” dhe trajneri katalanas e ka të qartë se një dështim i ri i Mançester Sitit do të pritej shumë keq nga tifozët, por sidomos nga kritikët. Të sulmuar mjaft këtë sezon për shkak të formës jo bindëse në Premier Ligë, “qytetarët” duhet ende që të bindin mosbesuesit se ata mund të konsiderohen pjesë e një skuadre të madhe.

“Europa do të na shikojë, – u tha ai futbollistëve, – do të na analizojë dhe kritikët do të na vrasin nëse ne dështojmë”. Siti arriti në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar, për herë të parë në histori, ndërsa Guardiola kurrë nuk është eleminuar përpara gjysmëfinaleve, ndërsa ka udhëhequr dy skuadra të mëdha si Barcelonën dhe Bajernin e Mynihut. Pasi u shpall dy herë kampion i Europës me Barçën, Pep dëshiron një tjetër fitore, veçse duhet të bëjë shumë kujdes nga Monako, skuadra që shënon më shumë gola në Europë.

Sfidanti.al