Bajern mban hapin e Lajpcigut, mund Leverkusenin me Hënesin në tribunë

Kryesuesit nuk ka çfarë t’i bëjë për momentin, por të paktën të mos e humbasë nga shikimi. Bajerni, edhe pse thuajse duke u “tërhequr zvarrë” ia doli të thyente Leverkusenin dhe të linte pas rivalët e tjerë. Në një ditë që Dortmundi humbi dhe Këlni barazoi, Bajerni nuk gaboi.
Tiago Alkantara dhe Mats Humels ishin njerëzit që dërguan topin në rrjetë, ndërsa për herë të parë pas 2 vitesh, në tribunë ishte si president Uli Hënese. Leverkuseni, si gjithnjë skuadër e futbollit të bukur dhe sulmues, nuk lejoi veten të shkelej me këmbë dhe turku Hakan Çalhanoglu barazoi shifrat në pjesën e parë.
I takoi Humelsit të shënonte dhe mbrojtësi kampion i botës i dha një çlirim trajnerit të tij, Karlo Ançeloti, i vendosur nën kritika. Një ditë më parë, Hënes i tha italianit se “tek Bajerni, ne fitojmë bashkë, dhe humbasim bashkë”. Kështu ndodhi, dhe trajneri nuk mund të ndihet si fituesi i vetëm, as më herët si humbësi i vetëm.
Dortmundi, ndërkaq, u mund në Frankfurt edhe pse Obamejang barazoi për 1-1 në 77’. Hushti dhe Seferoviç shënuan për vendasit. Këlni, me Mërgim Mavrajn titullar, nuk mundi të fitonte në fushën e vet ndaj Augsburgut.
Rezultatet: Bajern-Leverkusen 2-1, Frankfurt-Dortmund 2-1, Këln-Augsburg 0-0, Borusia M.-Hofenhajm 1-1.
Renditja: Lajpcig 30, Bajern 27, Frankfurt 24, Këln 22, Hofenhajm 22, Dortmund 21.