Me dy gola, le të themi, të lehtë në portën e APOEL-it të Nikozisë, Kristiano Ronaldo tregoi se ylli i tij do të dojë më shumë kohë sesa mendohet që të perëndojë. i shumë kritikuar për rendimentin katastrofal në ligën spanjolle, ai u shfaq i mrekullueshëm në Champions, të paktën në versionin “Gerd Myler” apo “Pipo Inzagi”. CR7 mund të mos e meritojë, për momentin, rrogën e tij prej dhjetëra milionë eurosh, por me 8 gola në 5 ndeshje të grupeve në Ligën e Kampionëve, mbetet një lider, dhe një i domosdoshëm për Realin e Zidanit.
Ai vazhdon ta shkruajë historinë në këtë kompeticion, pasi ka realizuar 114 rrjeta, shumë më tepër se kushdo tjetër, ndërsa i magjishmi Lionel Mesi, rivali i tij i vetëm dhe që e kalon në klas dhe talent, nuk ka arritur ende tek shifra 100. Nga ana tjetër, Kristiano, shifrën 100 e arriti vetëm me Realin e Madridit. Në Qipro, dy gola shënoi edhe i kritikuari tjetër i madh, Karim Benzema.
Sfidanti.al