Champions, Liverpuli pëson një “Stamboll” nga Sevilja, 3-3 në Spanjë

Nuk mjaftuan tre gola të shënuar në 30 minuta. Liverpuli u detyrua të pranonte se nuk mund të jetë vetëm ai që të shkaktojë tronditje të mëdha në Champions, pasi pësoi nga Sevilja një mbërritje si ajo që vetë të kuqtë i bënë Milanit në finalen e Ligës së Kampionëve në Stamboll, në vitin 2005.

Firmino, Mane dhe sërish Firmino kaluan anglezët në 3-0, por spanjollët besuan deri në fund në stadiumin e tyre, “Sançez Pizhuan”. Ben Jeder shkurtoi shifrat, pastaj sërish Ben Jeder afroi rezultatin në 2-3, ndërsa në sekondat e fundit ishte Pizarro që barazoi. Gjithsesi, shifrat 3-3 e mbajnë Liverpulin në vend të parë, dhe një hap larg kualifikimit, të cilin do ta ketë vetë në dorë kur të presë Spartakun e Moskës në “Anfild” pas dy javësh. Sevilja u mbajt në vend të dytë dhe mund të kalojë turin me suksesin e pritshëm ndaj Mariborit.

Skuadra tjetër angleze, Mançester Siti e pati shumë të vështirë në fushën e vet ndaj Fejënordit. Holandezët u kujtuan që janë ekip me traditë në Europë, dhe u mbajtën në 0-0 deri afër fundit, por pikërisht në 88’ Rahim Stërling i dha fitoren të besuarve të Pep Guardiolës, që mbajti në stol Gabriel Zhezusin, dhe pati titullar, Kun Agueron.

Fitore edhe për anglezët e tjerë, ata të Totenhemit. Humbja 0-2 në Premier Ligë ndaj Arsenalit nuk ia uli aspak ritmin në Champions formacionit të trajnerit Poçetino, që arriti sukses 2-1 në fushën e Dortmundit. Edhe pse Obamejang kaloi në epërsi vendasit në 31’, Harri Kejn barazoi në 49’ dhe koreanojugori Son i dha fitoren Spërsave në 76’. Totenhemi është i pari në grup, duke lënë pas Realin që fitoi 6-0 në Qipro ndaj APOEL-it. Të dyja ekipet janë në turin tjetër.

Në grupin tjetër, Beshiktashi vulosi kualifikimin me barazimin 1-1 në Stamboll me Porton, ndërsa Lajpcigu shkëlqeu me triumfin 4-1 në fushën e Monakos, ku talenti i ri gjerman, Timo Verner, shënoi dy gola. Lajpcigu është baraz me Porton dhe do të vendosin javën e fundit se kush prej tyre do të kualifikohet.

Sfidanti.al