Yjet e kombëtares gjermane e vendosën: Japim 2.5 milionë euro për virusin!

Fillimisht erdhi thirrja në rrjetet sociale nga ana e futbollistëve Matias Ginter dhe Leon Gorecka, dhe vendimi i tyre për të dhuruar shumë financiare për të luftuar koronavirusin në Gjermani. Më pas, Federata Gjermane e Futbollit vendosi ta bënte ndihmesën në mënyrë të organizuar, dhe drejtori administrativ i kombëtareve, Oliver Birhof, ngarkoi kapitenin Manuel Nojer si koordinator. Në përfundim, me ndërmjetësimin e portierit të Bajernit, futbollistët e kombëtares gjermane mblodhën gjithsej 2.5 milionë euro si ndihmë imediate, pra të menjëhershme.

Një shifër që nuk mund të quhet e vogël, por që nuk mund të quhet as e madhe, duke pasur parasysh se yjet e Gjermanisë kanë rroga stratosferike. Vetëm Nojer merr gati 8 milionë euro në vit tek Bajerni, Gorecka gati 7 milionë, Xhoshua Kimih 8 milionë, Gnabri 5.5 milionë, Toni Kros mbi 10 milionë euro, Ter Shtegen gati 5 milionë, Marko Rojs gati 11 milionë, e kështu me radhë. Pra, ata kanë dhënë rreth 1 për qind apo më pak të rrogës së tyre vjetore, një lloj bamirësie e pakërkuar, padyshim me ndërgjegje, por që mund të quhet e pamjaftueshme.

Diçka që bën kontrast me shumë njerëz të zakonshëm që ndajnë gjithçka kanë me atë që është në nevojë, dhe ku ia vlen të kujtohet historia e ish-portierit të madh të Spanjës, Zamora, kur ishte trajner i Espanjolit, dhe luajti në Beograd ndaj Crvena Zvezdës për kupat europiane në 1960. “Isha në një autobus linje, – kujton ai, – pasi avionët për në Vjenë nuk punonin nga dëbora. Në krahun tim ishte një plak që hapi një bohçe ku kishte bukë e djathë. Pasi e hapi, u kthye nga unë dhe më tha: Merr edhe ti”. Zamora, këtë veprim të plakut ballkanas, e quajti “pritja e jetës”.

Sfidanti.al