Kështu u konkludua pas një mbledhjeje të nivelit të lartë, të zhvilluar me urgjencë këtë të martë, dhe padyshim në distancë. Premier Liga angleze do të duhet të përfundojë me çdo kusht, pavarësisht se ndërprerja mund të jetë e gjatë. Në videokonferencën e mbajtur nën drejtimin e shefit të Premier Ligës, Riçard Masters (në foto), dhe të krerëve të Federatës Angleze të Futbollit, u vendos që ndalimi i kampionatit mund të vazhdojë deri në 30 prill, pra edhe gati një muaj e gjysmë, por gjithsesi edicioni 2019-2020 do ta shohë fundin normalisht.
Kjo, pavarësisht sesa shumë do të duhet të zgjasë periudha për të luajtur ndeshjet e mbetura. Federata u detyrua të pranonte shkeljen e rregullave të veta, që detyronin mbylljen e sezonit deri në 1 qershor, diçka e kuptueshme për vetë situatën e jashtëzakonshme të krijuar nga koronavirusi. Mediat britanike njoftojnë se nuk ka afat në zgjatjen e vitit futbollistik, ndonëse do të duhet të përfundojë brenda qershorit, për t’i dhënë mundësi skuadrave që të përgatiten për sezonin e ardhshëm.
Ndeshja e fundit e luajtur në Premier Ligë ishte në 9 mars, mes Leisterit dhe Aston Vilës, që përfundoi 4-0 për vendasit, ndërsa takimi Mançester Siti-Arsenal u anulua për shkak të koronavirusit. Liverpuli kryeson renditjen me 82 pikë, 25 më shumë sesa Mançester Siti, që ka një ndeshje më pak.
Sfidanti.al