Nuk është plotësisht i preferuar, dhe kjo i ka prishur punë. Xhakomo Vrioni për fat të keq nuk është titullar, siç ndodhi në ndeshjen mes skuadrës së tij, Nju Inglënd Revëlushën dhe Torontos në Ligën Profesioniste Amerikane. Sulmuesi kuqezi do të hynte në lojë vetëm në nisje të pjesës së dytë, por do të ishte vendimtar. Ylli 24-vjeçar, që ka mbetur jashtë kombëtares këto kohë pikërisht sepse nuk është aktivizuar me rregull, pati nevojë vetëm për 6 minuta për ta treguar veten. Në përballjen ndaj yjeve të dikurshëm të Serisë A si Lorenco Insinje apo Federiko Bernardeski, Vrioni shënoi golin përcaktues.
Në minutën e 52-të, ai përfundoi me klas prej sulmuese një aksion të bukur të skuadrës së tij, dhe që nga ajo kohë rezultati nuk ndryshoi. Ky ishte goli i katërt i Vrionit në 16 ndeshje të luajtura, ndërsa ka munguar disa herë. Falë kësaj fitoreje, Nju Inglënd është në vendin e dytë në Konferencën Lindore duke pasur 36 pikë, e duke qenë prapa vetëm nga ekipi kryesues Sinsinati. Vetë Vrioni shpreson që të luajë më shumë dhe të kthehet në kombëtare me trajnerin Silvinjo.
Sfidanti.al