Vildan Tufi ose shuarja e një ylli të atletikës shqiptare, ndahet nga jeta trajneri i shquar!

Nuk kanë kaluar shumë kohë që nga triumfi i tij më i madh. Vildan Tufi u ndje vërtet krenar 3 vjet e gjysmë të shkuara kur atleti i tij Izmir Smajlaj u shpall kampion i Europës në salla të mbyllura, në Beograd, moment që kujtohet me mallëngjim e dhimbje sot, kur lajmërohet vdekja e trajnerit të shquar. Mjeshtri shkodran u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare, pas një lufte të gjatë me një sëmundje të rëndë.

Ai ishte një nga trajnerët më të mirë të atletikës dhe të sportit shqiptar në përgjithësi, duke udhëhequr drejt rezultateve të larta sportistë të tillë si Vera Bregu, Arbana Xhani dhe Izmir Smajlaj, sa për të përmendur ata më të suksesshmit. Me Vera Bregun shkëlqeu që në vitet 80-të në kërcim së gjati dhe kërcim trehapësh me titullin e nënkampiones së Ballkanit, po ashtu me Arbana Xhanin në garat e shpejtësisë 100 e 200 metra, si dhe në stafetë fituese e medaljeve ndërkombëtare. Izmir Smajlaj u shpall kampion i Europës për salla të mbyllura në mars 2017 në Beograd.

Trajneri i shquar po punonte me atleten e re shkodrane Erisa Rrasa, e cila tani duhet ta kërkojë suksesin me një drejtues tjetër. Vildan Tufi është nderuar me shumë vlerësime gjatë jetës dhe karrierës, së fundmi edhe me titullin Mjeshtër i Madh nga presidenti i Republikës, Meta. Sporti shqiptar është në zi për humbjen e një personaliteti të tillë.

Sfidanti.al