Nëse Reali ishte për faqe të zezë këtë të shtunë, nuk mund të thuhen fjalë më të mira për katalanasit. Katastrofa 2-8 në Champions ndaj Bajernit është aty “pas dere”, dhe duket se do të duhet kohë të largohet, siç u kuptua nga ndeshja e humbur 0-1 në fushën e Getafes në La Liga. Përtej ankimeve të trajnerit Ronald Kuman për mungesën e VAR-it, dhe pavarësisht shtyllës e rastit për gol, të dyja të Mesit, Barcelona u duk si një ekip i ardhur nga bota e fantazmave.
Kritikat më të ashpra ishin për Antuan Grizmanin, Frenki De Jongun dhe Usman Dembelenë. Të tre së bashku i kanë kushtuar klubit mbi 300 milionë euro, një investim i jashtëzakonshëm që duhej të kishte krijuar një ekip ëndrrash, por është e kundërta. Sidomos e rëndë gjendja për Grizmanin dhe Dembelenë, i pari që duket se ka humbur çdo lidhje me portën, dhe i dyti që duket në gjumë edhe kur është në fushë, aq sa humbi 14 herë topin vetëm në pjesën e parë. Nuk dihet nëse Kuman do të arrijë të ndreqë situatën, por Barça nuk jep shpresë sidomos për Championsin, por do ta ketë të vështirë edhe në një La Liga që duket e paqartë.
Sfidanti.al