Është një nga sëmundjet e shekullit, nga e cila nuk kemi si të shpëtojmë. Trukimet e ndeshjeve sollën një rrëzim të madh në futbollin shqiptar, atë të Skënderbeut, ndërsa sipas një kompanie të specializuar botërore, këtë vit duhet të ketë ndodhur një tjetër rast. Raporti i Integritetit i Shoqatës Ndërkombëtare të Integritetit të Basteve bën me dijë se në vendin tonë dyshohet një ndeshje e trukuar futbolli në tremujorin e dytë të këtij viti. Nuk specifikohet se cila mund të jetë kjo ndeshje, se cilat mund të jenë skuadrat e dyshuara si të përfshira, apo se në çfarë niveli të kampionateve apo të Kupës duhet të ketë ndodhur. Shoqata me inicialet IBIA është krijuar nga kompanitë e basteve për të luftuar trukimet, ndërsa sipas raportit të tremujorit të dytë të 2022-it vihet re se Shqipëria ka më pak raste sesa Republika Çeke, Rumania dhe Suedia, që kanë nga dy. Kosova po ashtu ka dyshim për një ndeshje të manipuluar. Gjithsesi, duket se kjo agjenci e specializuar (IBIA) po e sheh çështjen e trukimeve në Shqipëri, njëlloj siç SPAK-u sheh korrupsionin, pra më pak sesa majën e ajsbergut. Në nivel global, futbolli është sporti kryesor për dyshime trukimesh, me 32 raste, duke zënë vendin e parë që më parë e mbante tenisi, që këtë herë ka 27 ndeshje të dyshuara. Në total, për të gjitha sportet janë 88 raste të dyshuara për të gjitha sportet, nga të cilat më shumë se gjysma janë në Europë, plot 46.
Sfidanti.al