Uolvesi e nxorri “zbuluar”, Murinjo e ka me lojtarët e tij!

Totenhemi pritet ta ketë shumë të vështirë të arrijë kualifikimin për në Champions sezonin e ardhshëm, plus që edhe rrezikon eleminimin që në turin e dytë këtë edicion, pas humbjes në Londër ndaj Lajpcigut. Zhoze Murinjos nuk po i ecën mirë puna në “Uajt Hart Lejn”, dhe kjo u pa edhe në humbjen ndaj Uolvesit, sërish në shtëpi, madje edhe duke qenë dy herë në avantazh. “Gjelat” kryesuan 1-0 dhe 2-1, por kur ndeshja përfundoi, Uolvesi triumfoi 3-2. “Ujqërve” nuk u prishi punë fakti se kishin luajtur të enjten në Ligën e Europës në Spanjë ndaj Espanjolit (duke u kualifikuar), dhe ata u duken më mirë në lojë dhe në formë fizike sesa të besuarit e Murinjos. Natyrisht, dëmtimet e Harri Kejnit dhe koreanojugorit Son janë të rëndësishme, por Totenhemi duhet të mësojë të luajë edhe pa ta.

Bergvejn kaloi Spërsat në epërsi në 13’, Doherti barazoi në 27’ dhe Orie shtoi golin e dytë për vendasit në minutën e parë shtesë të pjesës së parë. Gjithsesi, Zhote dhe Himenez përmbysën shifrat pas pushimit, dhe Totenhemi ka tani 40 pikë duke qenë në vend të 7-të, 5 pikë prapa Çelsit që mban vendin e katërt dhe që ndodhet në zonën Champions. Mançester Junajtidi dhe Uolvesi janë mbi ekipin e Murinjos në renditje. Trajneri portugez kritikoi yjet e tij duke thënë se “ne na mungoi agresiviteti, dhe aftësia për të qenë cinikë, për të mbyllur ndeshjen, ishim shumë të mirë, shumë të këndshëm, kjo bëri diferencën, pasi si lojë ishim mirë”.

Sfidanti.al