Tifozët berlinezë janë kundër Hopit, por edhe kundër Federatës!

Ishin dy banderola që shkaktuan ndalimin dy herë të ndeshjes së të dielës në Bundesligë, mes Unionit të Berlinit dhe Volfsburgut. Tifozët vendas së pari u hodhën kundër Federatës duke nxjerrë banderolën e parë, ku protestohej kundër kthimit të dënimeve kolektive nëpër stadiume, diçka që ata thoshin ishte hequr që në 2017-ën! Në pankartë, pati edhe një ofendim “vendçe” për DFB-në, pra për Federatën gjermane, nga ata që nuk i merr lapsi.

Më pas, doli banderola e dytë, me shënjestër presidentin dhe pronarin e Hofenhajmit, Ditmar Hop. Njëlloj si pankarta e ultrasve të Bajernit, në të lexohej “bir k…”, si dhe ishte fytyra e Hopit, e vendosur në shenjestër sikur po ekzekutohej. Arbitri ndaloi dy herë ndeshjen, që përfundoi 2-2. Trajneri i Unionit të Berlinit, Oliver Runert (Ruhnert), deklaroi për DAZN-in se “ishin dy banderola të ndryshme”. “Ofendimet personale padyshim që nuk janë të pranueshme, ndërsa banderola e parë ishte një kritikë ndaj Federatës, dhe kritikat mund të thuhen”, – ishte gjykimi i tij. Autoritetet në Gjermani janë shumë të alarmuar për sulmet ndaj Hopit, pasi pritet që të bëhen edhe nga ultrasit e tjerë, si ata të Dortmundit apo Shalkes.

Sfidanti.al