Lebron Xhejms-Zajon Uilliamson, dueli që ndezi flakë NBA-në!

Fitoi përsëri “Mbreti” dhe vështirë të pritej që të ndodhte ndryshe. Lebron Xhejms është një “institucion” i vërtetë në basketbollin amerikan, që ka talentin e pamasë, fuqinë fizike herkuliane si dhe një përvojë të pazakonshme. Gjithsesi, edhe ai shikon me admirim “rrulin” e ri të NBA-së, talentin e sapo dalë mbi ujë, Zajon Uilliamsonin. U desh të kalonin vetëm pak ditë që ata të viheshin sërish përballë, këtë herë jo në Los Anxhelos, por në Nju Orlins.

Lejkërsat fituan ndaj Pelikanëve 122-114, dhe Lebroni zhvilloi një ndeshje të madhe, me tripëll dabëllin e 13-të të sezonit (baraz me Luka Donçiçin). Shënoi 34 pikë, kapi 12 topa në tabela e shërbeu 13 asistë, duke bërë edhe 2 vjedhje topi. Paraqitja e Xhejmsit e mbuloi boshësinë e lënë nga mungesa e Entoni Dejvisit, ndërsa në krah të tij ishte Kajl Kuzma me 20 pikë. Po ashtu, shumë lojtarë të tjerë shënuan pikë të rëndësishme, pasi as Lebroni nuk mund t’ia dalë vetëm.

Zajon Uilliamson, vetëm 19-vjeçar, nuk e pati problem të përballej me 35-vjeçarin e frikshëm dhe doli si shënuesi më i mirë i ndeshjes me 35 pikë. Nuk bëri shumë gjëra të tjera, kapi edhe 7 topa në tabela dhe kaq. Nga loja ishte mjaft i saktë, duke realizuar 12 nga 16 gjuajtjet, si dhe pati përmirësim në gjuajtjet e lira (11-13). Ndryshe nga ai, Lebroni provoi edhe për tre, duke realizuar 3 nga 5 gjuajtje. Në renditje, Lejkërsat janë në krye të Perëndimit me 46 fitore e 13 humbje, ndërsa Nju Orlinsi është i 9-ti po në Perëndim me 26 fitore e 34 humbje.

Sfidanti.al