UEFA përjashton Rusinë, në 2003 nuk pati asnjë përjashtim për SHBA-në!

UEFA po ndihet shumë e prekur këto kohë nga ajo që po ndodh në Ukrainë, ndaj edhe vendosi të ndërmarrë një tjetër sanksion ndaj Rusisë, duke i ngjarë autoriteteve shtetërore të SHBA-së, Bashkimit Europian dhe disa shteteve perëndimore. Pasi u përjashtua Rusia nga plej ofi i Botërorit, dhe pasi ekipet ruse u përjashtuan nga çdo lloj aktiviteti futbolli (si edhe për sportet e tjera), UEFA vendosi që të përjashtonte Rusinë nga Liga e Kombeve, dhe klubet ruse nga edicioni i ardhshëm i kupave të Europës. Është e qartë se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, që po shkakton prej mbi 2 muajsh viktima dhe vuajtje të jashtëzakonshme, është i dënueshëm dhe është një sulm grabitqar dhe imperialist. Gjithsesi, ai nuk ndryshon aspak, madje duket më i pafajshëm sesa agresioni i SHBA-së ndaj Irakut në vitin 2003.

Plot 36 milionë njerëz protestuan në të gjithë botën, qysh përpara nisjes së pushtimit, dhe vetëm në Romë u mblodhën 3 milionë, në atë që u cilësua si protesta më e madhe kundër luftës në histori. Gjithsesi, jo vetëm që pushtimi i Irakut u krye, pas një sulmi që zgjati pak më shumë se 1 muaj, por edhe asnjë masë nuk u mor nga organet drejtuese të organizatave sportive (meqë po flasim për sportin dhe futbollin në veçanti). Në agresionin ndaj Irakut, që shkeli çdo normë dhe ligj ndërkombëtar, dhe ku u kryen krime të shumta duke shkatërruar një shtet, pa e zëvendësuar dot me një tjetër, si pasojë e së cilës humbën jetën 800 apo 900 000 njerëz, morën pjesë forcat e armatosura amerikane, britanike, australiane dhe madje edhe 300 forca speciale nga Polonia. UEFA dhe FIFA nuk përjashtuan asnjërën kombëtare të SHBA-së, Anglisë, Australisë apo Polonisë nga aktivitetet ndërkombëtare, as klubet e tyre. Duket qartë se edhe përpara ligjit sportiv, edhe përpara ligjit të futbollit, qenkemi të barabartë, ashtu si edhe përpara ligjit në përgjithësi.

Sfidanti.al