Kur vjen fjala për jetën njerëzore nuk është asnjëherë e tepërt që të shqetësohesh dhe të protestosh. Edhe pse kur e bëjnë shumë media në Perëndim duke kritikuar Lindjen, ndërsa jo shumë kohë më parë uleshin vetë të pinin çaj në orën 17:00, ndërsa vdisnin lindorët nëpër plantacionet e kushteve ç’njerëzore. Tabloidi britanik, “Deili Meil”, që adhuron familjen mbretërore dhe ndjek pas çdo “po…” që bën ajo, ka botuar një analizë për Kupën e Botës në Katar, për viktimat që ka shkaktuar ndërtimi i infrastrukturës, duke bërë pyetjen: Sa njerëz kanë vdekur që Katari të organizonte Kupën e Botës? Tre sipas organizatorëve, apo 2 800?! Padyshim që e vërteta është diku në mes, por mesatarja në këtë rast mund të jetë edhe 1 000 apo 1 500! Konstatimi i drejtë i tabloidit është se “pabarazia është e skajshme”, ndërsa punëtorët e shkretë kanë shkuar në Katar nga vende të varfëra si Nepali, Bangladeshi, Sri Lanka, Pakistani apo Filipinet. Pabarazia është si ajo në Europë një shekull e ca më parë, për të cilën doli kënga e shquar italiane, “Bella Ciao”, varianti i parë, ai që i kushtohet vuajtjeve të grave dhe vajzave që punonin nëpër orizore dhe fusha të bujqësisë, në plantacionet e zotërinjve, kënduar nga e pavdekshmja Milva.
Sfidanti.al