Vedat Muriqi është “Robin Hudi” i Kosovës, çfarë paraqitjeje në Irlandën e Veriut!

E vërtetoi se përse është një yll në La Ligën e Spanjës. Vedat Muriqi e kreu deri në fund shërbimin e tij për ekipin përfaqësues të Kosovës, duke shkëlqyer si askush tjetër në stadiumin “Uindsor Park” të Belfastit. Edhe pse të besuarit e trajnerit Alen Zhires e humbën 1-2 në fushën e Irlandës së Veriut sfidën e Ligës së Kombeve, sërish sulmuesi i Majorkës u dallua në mënyrë të veçantë dhe madje i dha Kosovës epërsinë 1-0. Kjo pa u mbushur një orë lojë. Kontributi i Muriqit nuk mjaftoi vetëm me rrjetën, por krijoi gjithashtu shumë në sulm, herë duke rrezikuar vetë e herë duke shërbyer për shokët. Jo vetëm kaq, por përballë një Irlande të Veriut agresive, shtatlartë dhe të fuqishme fizikisht, ndihma e sulmuesit ishte e domosdoshme edhe në mbrojtje.

Futbollisti 28-vjeçar nga Prizreni, që ka luajtur edhe në Shqipëri për Teutën e Besën, e që provoi Serinë A italiane e tani La Ligën spanjolle, ka 21 gola në 42 ndeshje për Kosovën, një mesatare shumë e mirë. Ai ka shënuar edhe 3 gola në 6 ndeshje të La Ligës për Majorkën këtë sezon. Gjithsesi, këmbëngulja dhe ritmi i lartë bëri që Irlanda e Veriut ta fitonte ndeshjen. Uajt në 82’ dhe Magenis në 92’ realizuan përmbysjen për njërën nga përfaqësueset më të vjetra të historisë së futbollit botëror, edhe pse sot nuk është në nivelet e viteve 80-të. Kosova, ndërkaq, duhet të shmangë humbjen me Qipron në Prishtinë këtë të martë, për të mbetur në Nivelin C të Ligës së Kombeve.

Sfidanti.al