Reja, përse “kënaqe” gazetarët dhe tifozët me mbrojtjen me 4?!

Pas ndeshjes së humbur ngushtësisht, por gjithsesi të humbur në Izrael, trajneri i kombëtares tha një fjali se “ua bëra qejfin me mbrojtjen me 4 lojtarët, por e patë që nuk funksionoi”. Në fillim, të gjithë kuptuam se mbrojtja me 4 u ndërtua meqë kishim mungesa të lojtarëve kryesorë si Gjimshiti e Kumbulla, dhe jo sepse Reja do t’i bënte qejfin gazetarëve apo tifozëve. E vërtetë, që ndryshimi nga 3 i përhershëm në 4 kërkon shumë kohë që të “kolaudohet” dhe kjo u duk në fushën e lojës ku ekipi në pjesën e parë ishte si “kullesë makaronash”, aq sa Reja pranoi se ishte fat që pësuam vetëm një gol, ndonëse më pas shtoi se “ndeshja ishte përgjithësisht e mirë, por me disa gabime individuale”. Sidoqoftë, trajnerit (që ka mjaft përvojë) i duhet thënë se i takon atij të marrë vendimet në bazë të situatave, dhe jo që të kënaqë të tjerët. Siç thoshte Karlo Bilardo para Kupës së Botës 1986, “në Argjentinë ka 30 milionë trajnerë, por vendimet i marr unë”!

Sfidanti.al