Tifozët tallen me Italinë: Fluturimi për në Katar është anuluar

Nuk mbarojnë talljet me të kaltrit pas dështimit ndaj Maqedonisë së Veriut dhe eliminimit nga Botërori. Për të dytën herë radhazi, Italia nuk do të jetë në fazën finale, diçka që nuk i ka ndodhur kurrë më parë, dhe ky turp i takoi të besuarve të trajnerit Roberto Mançini që pak muaj më parë u shpallën kampionë të Europës në “Uembli” të Londrës. Ja pra, përse futbolli cilësohet kaq shumë i bukur dhe kaq shumë me emocione. Nuk munguan talljet në rrjetet sociale pas dështimit italian. Një tifoz botoi një foto ku janë Leonardo Bonuçi, që mban në sqetull trofeun e Euro 2020-ës, dhe Zhorginjo, ndërsa në tabelën elektronike përballë shkruhet “fluturimi për në Katar është anuluar”. Një tjetër, boton një montazh të dy fotove nga seriali “Tomi me Xherrin”, ku Italia është Tomi (dhe përfundon e fashuar), ndërsa Maqedonia e Veriut është Xherri, që gjithmonë del fitues.

Sfidanti.al