Tifozët festojnë me këngën e “Riki e Poveri”, Bonuçi me birrë dhe koka kola!

Një këngë e viteve 80-të, iu duk më e mira për të festuar. “Kjo ndodh sepse të dashuroj” është titulli i shkëlqyer i grupit “Riki e Poveri”, dhe tifozët italianë padyshim e dashurojnë kombëtaren e tyre. Kush e mendonte se pas dështimit të madh në Kupën e Botës 2018 do të arrinte triumfi?! Lumturia, pra, nuk ishte vetëm në “Uembli”. Miliona italianë e shijuan titullin europian në Romë, Milano, Napoli apo në qytetet e tjera në Apenine. “Do ta mbaj mend gjithë jetën time”, thotë një tifoz mes lotëve. “Ecëm në rrugën tonë, vuajtëm, por fituam”, ulëret një tjetër.

Qindra tifozë pritën ekipin që mbërriti në Romë dhe u vendos në Hotelin “Parku i Princave”. Kapiteni Kielini kishte në kokë një kurorë mbretërore dhe trofeun. E veçantë edhe mbërritja e të dëmtuarit Spinacola, që ishte spektator në finale. Bonuçi u hodh e kërceu si një ultras, ndërsa zbriti nga autobusi. Autori i golit u tregua i veçantë edhe pas finales, në konferencën për shtyp. Ai vendosi ta shuante etjen me çdo mënyrë. “Ishim të veçantë sepse besuam që nga fillimi deri në fund, -tha autori i golit, Bonuçi, – po ndjenim se mund të arrinim diçka të madhe. Ishte tipike që kishim dëshirë të madhe të rrinim bashkë, ndonëse shpesh ndodh që mezi pret që diçka kaq e gjatë të përfundojë. Ia dolëm dhe është me të vërtetë e pabesueshme”.

Trajneri Roberto Mançini u duk shumë i lodhur, por i kënaqur. “Jam shumë i lumtur sepse skuadra luajti mirë, – tha ai, – e meritoi fitoren. Është e vërtetë që goli i shpejtë na krijoi probleme në 15’ e para, por më pas nisëm të luanim dhe e morëm ndeshjen në dorë. Do ta kishim merituar që ta kishim mbyllur më parë. Jemi të lumtur për të gjithë italianët, edhe për ata që jetojnë jashtë, dhe që ishin kaq shumë në stadium. Besoj se u kemi dhënë një muaj të bukur”. Ky ishte titulli i dytë europian për Italinë, i arritur pas dy finaleve të humbura në vitet 2000 e 2012, dhe i fituar për herë të parë pas 53 vjetësh.

Sfidanti.al