Tifozët bëhen gati për betejën e tyre në Katar, latinët dhe ballkanasit në eufori!

Kur thua tifoz i ke thënë të gjitha, por tashmë gjithçka ka marrë përmasa shumë më të mëdha. Mbështetësit e Argjentinës dhe të Kroacisë kanë qenë të zjarrtë në Katar, në vendet e tyre dhe kudo në botë, veçse sot ndjenjat janë shumë të forta. Ekipet e tyre janë vetëm dy hapa larg titullit botëror. Rreth 40 000 argjentinas janë në Katar, dhe shpresa është e madhe që është pikërisht ky momenti i paracaktuar nga fati për të përsëritur triumfet e mëdha të arritura me Kempesin dhe Maradonën. Të shumtë janë ata që vazhdojnë të mbërrijnë për të ndjekur gjysmëfinalen apo për të qenë dëshmitarë në Lindjen e Mesme. Padyshim, do të jetë më i madh numri i njerëzve në sheshet e Buenos Airesit dhe të qyteteve të tjera të Argjentinës.

Në Kroaci, entuziazmi nuk mund të thuhet se është më i vogël, ndonëse mund të ketë më pak tifozë ballkanas në Katar sesa amerikanolatinë. Gjithsesi, radhët po shtohen sepse shumë prej tyre kanë udhëtuar orët e fundit për të qenë në vendin arab. Padyshim shumë prej tyre do të kenë një biletë për ndeshjen. Këngët dhe brohoritjet janë të shumta në rrugët e Dohës, ndërsa mediat kroate lajmërojnë se një grup i madh u mblodh përpara hotelit ku ndodhet kombëtarja, për t’i dhënë zemër në prag të duelit. Në Zagreb, ndërkaq, për shkak të ndeshjes, u hoqën edhe zbukurimet e vendosura për Krishtlindjet në sheshin qendror. Së pari, tifozët duhet të jenë aty për të mbështetur “të zjarrtët”, siç e quajnë kombëtaren në Kroaci.

Interesant qendrimi i tifozëve serbë në prag të ndeshjes. Media e “Beogradit “Telegraf”, mori opinione të qytetarëve në kryeqytet dhe shumica e tyre dëshironin fitoren e Kroacisë. Disa dyshonin nëse Modriç me shokë mund t’ia dalin, por shumë të tjerë u shprehën se kroatët do të fitojnë nëse do të luajnë si ndaj Brazilit, ndërsa parashikuan se mund të shkohet tek penalltitë.

Sfidanti.al